Kaloni te përmbajtja kryesore

Tensionet në veri, opozita i kërkon qeverisë koordinim me aleatët ndërkombëtarë

Pas tensioneve në veri të vendit partitë opozitare në Kosovë, duke dënuar dhunën kanë kërkuar nga Qeveria koordinim me aleatët ndërkombëtarë në marrjen e vendimeve.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të vlerësojë situatën e sigurisë në veri dhe veprimet t’i ndërmarrje me aleatët ndërkombëtarë.

PDK-ja ka dënuar tendencën për dhunë nga grupet e dirigjuara nga Serbia.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia. Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarrë në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e partisë më të madhe opozitare.

Ky subjekt politik vlerëson se përshkallëzimi i situatës nuk i sjell asnjë dobi Kosovës.

“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Edhe LDK-ja kërkon bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat diplomatik e shtetërorë për të evituar destabilizimin në vend.
Në hapje të Këshillit të Përgjithshmen të partisë, Abdixhiku ka thënë se e vetmja pikë që do të shqyrtohet është kërkesa e kryesisë për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.
“Më lejoni të ndajë shqetësimin për ngjarjet në veri të vendit. Të jap mbështetjen e LDK-së për djemtë tanë në veri. Të bëjë thirrje dhe ftesë që Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat diplomatik e shtetëror për të evituar destabilizimin e vendit”, ka thënë ai.

Ai tha se zgjedhjet në LDK janë festë, ndërkohë që ka folur për rezultatet në zgjedhjet e përgjithshme. Abdixhiku shtoi se zgjedhjet fillojnë më 1 qershor.

“Aksidentet elektorale edhe mund të ndodhin. Këtë gjendje për ne, kryesia jonë vendosi ta shohë si urgjencë për vendin”, shtoi ai.

Abdixhiku ka shtuar se në dy vitet e shkuara ka marrë besimin më të madh të votuesve prej mërgatës.

“Sot Kosova udhëhiqet nga popullsitë dhe një pushtet i paaftë dhe arrogant. Në këtë ngarkesë të tyre, qytetarët po e kuptojnë çdo ditë atë që e kemi kuptuar çdoherë. Me këtë kuptim të tyre, ata kanë bërë ballë braktisjen e shtetit. Kosova sot nuk ka një projekt të madh kapital, spitalet janë pa barna dhe pa pejë. Sot në Kosovë nuk ke asnjë reformë në arsim”, tha ai.

Sipas tij, sot Kosova ka një marrëveshje që hap rrugën për vetëmenaxhim etnik.
Kurse, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune, ndërsa ka bërë thirrje tek serbët lokalë të mos bien pre e interesave politike të Vuçiqit.

“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me aleatët.

“Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë”.
“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka apeluar tek të gjithë që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës.

“Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”, ka përfunduar Haradinaj./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button