Tensionet në veri, reagon Kurti: Orët e ditët në vijim mund të jenë problematike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas situatës në Veri të Kosovës.
Sipas Kurtit, orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike për Kosovën.
“Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre”, ka shkruar Kurti ndër tjera në Facebook.

Kurti ka shtuar se, “po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”.
Sipas Kurtit, këto veprime ishin të planifikuara nga beogradi. Duke shtuar se për veprimet agresive që po ndodhin sot përgjegjësit kryesorë janë Vuçiq dhe Petkoviq.
“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka shkruar Kurti ndër tjera në Facebook.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe./21Media
Back to top button