Tentoi ta vriste ish-vjehrrën, shpallet në kërkim një kosovar e arrestohen dy të tjerë

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas kosovar në pikëkalimin kufitar në Morinë, nën dyshimin se në fshatin Llakatund të Vlorës kishte sulmuar një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, e më pas ia kishte vënë banesës zjarrin ndonëse dy viktimat ishin pa ndjenja në të.

42-vjeçari G.B. është arrestuar duke tentuar të futej në Kosovë, ndërsa është arrestuar edhe D.K. 32-vjeçar po ashtu shtetas i Kosovës, nën dyshimin se ai kishte dijeni për krimin, por nuk e raportoi atë.

Po ashtu Policia ka bërë të ditur se në kërkim është edhe 51-vjeçari H.B., po ashtu shtetas i Kosovës.

Në të vërtetë e moshuara thuhet se është vjehrra e H.B. që është në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve hetimore paraprake, bazuar dhe në kallëzimet e shtetasve të dëmtuar, dyshohet se shtetasit H. B., në bashkëpunim me shtetasin G. B., kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar dhe nipin e saj të mitur (ish- vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit H. B.), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas. 2 shtetasit e dëmtuar kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e shtetases së moshuar dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. B. dhe G. B., si dhe “Moskalllëzimi i krimit””, thuhet nga Policia e Shqipërisë.

Back to top button