Tentoi të korruptojë Policinë, u arrestua kosovari në Morinë

Një 21 vjeçar kosovar u arrestua në Morinë, sepse tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit me një motomjet të dyshuar të trafikuar.
Siç informoi sot Policia e Shtetit, i arrestuari është B. Th., banues në Prizren.
“Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit. Ky shtetas, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro. Nga verifikimi rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.”, bëri të ditur Policia.
B. Th., 21 vjeç u arrestua për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme./21Media

Back to top button