Tetë fëmijë, pa bukë e pa kushte elementare, familja nga “Honeyland” kërkon ndihmë

Qeveria ka premtuar se do ta ndihmojë me mjete financiare

Veliu i ndihmon nënës së tij, që t’i mbledhë vezët për të përgatitur mëngjesin. E mëngjesi i zakonshëm për Familjen Sam nga Llozova është vezë, bukë e kos.

Lutfije Sam ka 8 fëmijë, më i vogli është 1 vjeç. Shtëpia e vjetër dhe pa kushte elementare për jetesë, po u vështirëson edhe më shumë jetën fëmijëve dhe familjarëve. E keni parë filmin dokumentar Honeyland? Kjo familje është protagoniste e këtij filmi.

“Na kanë sjellë nga Shkupi rroba, për të ngrënë, gjithashtu na kanë sjellë edhe miell, vaj, të gjitha nga ato. Ndonjëherë kur nuk ka asgjë, atë çfarë kam atë u përgatis. Makarona, groshë, çfarëdo që gjej do të bëj për fëmijët që të hanë”, tha Lutfie Sam.

Por, halli më i madh është se fëmijët nuk kanë as ku të lahen. Familja nuk ka dush e as banjo.

Ndërsa, nëna e tetë fëmijëve tha se verës e ka më lehtë për t’i larë fëmijët në oborr, por tani dimrit mundohet që sa më rrallë t’i laj.

“Në vaskë, dimrit kur është shumë ftohtë nuk mund që t’i laj se mund të ftohen. Kur është koha e mirë e lëshoj motorin e mbush me ujë dhe i laj fëmijët. Banjon më thanë se do të ma rregullojnë por nuk arritën, nuk u bë, nuk kam as lavatriçe, nuk kam asgjë rrobat i laj në vaskë, të gjitha në dorë”, tha Lutfie Sam.

Kjo familje 10 anëtareshe mbijeton nga shitja e mjaltit.

Ndryshe, Senih Brahoviç bashkëpunon me këtë familje për mbledhjen e mjaltit. Duke e ditur gjendjen e rëndë të familjes ai shpesh herë ju bie edhe për të ngrënë.

Gëzimi nuk përshkruhet kur sjellin ushqim. “Unë punoj me mjaltë, dhe prej shumë kohësh unë blej mjaltin e kësaj familje 7-8 vjet. Kjo familje nuk ka kushte për jetesë, ju e patë edhe vetë se në çfarë kushtesh jetojnë dhe si e kanë shtëpinë. Kjo familje ka 8 fëmijë, nuk ka financime aq sa duhet për t’i ushqyer, të gjithë jetojnë në kushte të rënda”, theksoi Senih Brahoviç.

Kryefamiljari nuk ishte në shtëpi, ai kishte dalë në malet e Llozovës për të punuar.

Ndihmë sociale nuk marrin, por të ardhurat e vetme të sigurta në muaj janë masat qeveritare për fëmijën e tretë. Familja 10 anëtarëshe kërkon nga zemërgjerit që t’i ndihmojnë me ushqime e rroba dhe të kenë një shtëpi me kushte elementare. Për këtë familje, Qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do ta ndihmojë me mjete financiare, raporton TV21./21Media

Back to top button