Reagimi i Haradinajt pas lajmit për marrëveshjen VV-LDK

“Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejt”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sonte deklaroi se është lajm i mirë që procesi negociues i VV-së dhe LDK-së përfundoi me dakordim. Ai përmes një postimi në facebook u shpreh se tani domosdo duhet që qeveria të formohet sa më shpejt.

“Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor. Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë.”, shkroi Haradinaj dhe shtoi se vendin e presin procese të mëdha.

“Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër.”, shtoi më tutje Haradinaj.

Ndërkohë, siç njoftuan zyrtarë të LVV-së dhe LDK-së për RTV21, nesër këshilli LVV do të mbajë mbledhje e po ashtu këshilli i LDK-së. Mirëpo, sipas tyre fillimisht do të nënshkruhet marrëveshja e pastaj do t’i dërgohet këshillit të LVV-së dhe atij LDK-së. /21Media 

Back to top button