​Tetë projekte të grantit të performancës po realizohen në Lipjan

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi është pritur sot në takim nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Ata kanë vizituar punimet në dy salla sportive të dy shkollave, për të cilat kanë thënë se do të përfundojnë brenda vitit.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka deklaruar se janë tetë projekte, të cilat po realizohen në kuadër të grantit të performancës.

“Janë tetë projekte krejt që po realizohen në terren (të grantit të performancës). Është mirë që kemi filluar me kohë realizimin e tyre. Falenderojë ministrin për kohën që ka ndarë të jetë në vizitë te projektet, të cilat janë në bashkëfinancim me MAPL…Janë dy salla sportive qe i vizituam, janë edhe gjashtë projekte të tjera që janë projekt nga granti i performancës, si fitues të vitit të kaluar komuna jonë dhe të cilat janë në realizim e sipër”, ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me raportet që kanë me nivelin qendror, Ahmeti ka mohuar se nuk kanë bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Jo, nuk është hera e parë. Bashkëpunimi ekziston për çdo vit. Komuna jonë është pjesëmarrëse në garën e performancës dhe në indikatorët që i matë MAPL me donatorët tjerë, Lipjani del vazhdimisht se fituese e këtij granti. Por, kemi pasur edhe projekte tjera shtesë nga buxheti i MAPL-së edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, e kemi shtratin e lumit jashtë grantit të perfornancës. Nuk kanë pasur ndikim nga ajo çfarë ju i thatë në raportet tona MAPL-komunë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi është shprehur se është me rëndësi që nxënësit të kenë mundësi të ushtrojnë në salla që përmbushin standardet profesionale.

“Janë mbi tetë projekte, të cilat financohen nga granti i performancës komunale. Komuna e Lipjanit është fituese e grantit dhe kemi bashkëfinancuar disa nga këto projekte. Sot i vizituam punimet në dy salla sportive të shkollave. Është shumë e rëndësishme që nxënësit e këtyre dy shkollave, por edhe komuniteti përreth të shkollave të ketë mundësi të ketë sallë sportive e cila plotëson standardet profesionale për zhvillimin e aktiviteteve. Ju e dini si qeveri kemi filluar me këto programet “Sporti në Shkolla” dhe sigurisht edhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin e kushteve të jetesës. Komuna e Lipjanit është përfituese e grantit është përfituese e grantit. Është prej komunave që ka pasur një mbështetje të vazhdueshme përmes këtij granti. Dhe granti tanimë të hënën fillon edhe raportimin e komunave për vitin 2022. Për 45 ditë do të përfundojë raportimi i komunave, pastaj do të fillohet përpilimi i raportove dhe do të përcaktohen edhe kush janë pëfituesit e grantit të performancës”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se këto dy projekte priten të përfundojnë brenda vitit.

“Sipas të dy projekt-menaxherave është brenda dinamikave. Këto janë projekte, të cilat do të përfundojnë në kuadër të këtij viti. Sigurisht që do të ftohemi gjithë ne që të shohim edhe punimet e përfunduara dhe me kryetarin e komunës do ta kemi një lojë të basketit”, ka shtuar ai.

Back to top button