Kontejnerë të stërmbushur dhe të rrethuar me mbeturina, madje hasen edhe qen endacak sidomos afër mishtoreve. Ky problem vazhdimisht po i shqetëson banorët e Tetovës.

“Mungesa e kontejnerëve vërehet pasi që në një lagje me apartamente ku ka 20 apo 30 banesa banimi ka vetëm dy apo tre kontejner dhe ato mbushen shumë shpejtë edhe është një kompleks problemesh që kërkon zgjidhje, por nuk ka pasur asnjëherë një vullnet nga ana komunës së Tetovës për ta zgjedhur këtë çështje dhe sigurimi i disa kontejnerëve mund ta zbus këtë çështje, por jemi shumë larg nga ajo çka është e nevojshme“, deklaroi Arjanit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.

Nga NPK Tetovë, thonë se ata janë duke punuar për pastrimin e kontejnerëve çdo ditë edhe se janë duke shtuar numrin e koshave për plehra.

“Sektori për Higjienë pranë NPK TETOVA – Tetovë, kryen mbledhjen, grumbullimin dhe deponim e mbetjeve çdo ditë sipas planit për punë. Gjithashtu kemi shtuar numrin e kontejnerëve në rrugët kryesore të qytetit me qëllim të kemi ambient më të pastër, mirëpo ditëve fundit kemi rritje të sasisë së mbetjeve për shkak se në komunat rurale nuk ka grumbullim të rregullt dhe kemi rritje të materialeve ndërtimore që hidhen në vende joadekuate nga qytetar të pandërgjegjshëm”, thanë nga NPK “Tetovë-Tetovë”.

Kjo situatë pritet që të përkeqësohet gjatë periudhës së verës, kur në Tetovë kthehen mërgimtarët dhe ka shtim enorm të numrit të banorëve dhe rrjedhimisht kjo ndikon edhe në rritjen e sasisë së mbeturinave. Se si do të menaxhohet kjo situatë nga autoritetet lokale në Tetovë nuk ka ndonjë paralajmërim./TV21