Thaçi: Aty ku është këshilla e ShBA-së, është vendimi i institucioneve të Kosovës

Veseli tha se nesër do t’i njoftojnë vendet e Quintit dhe përfaqësuesen e BE-së për zotimin e tyre si institucione të Kosovës për procesin e dialogut

Ka përfunduar takimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli me Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimit, në konferencë për media, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e quajti këtë takim si shumë të mirë, si takim të korrektësisë. Ai tha se siguron qytetarët se do të jenë transparent.

“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia dhe ulësja në OKB dhe perspektiva në integrime evropiane”, kjo është arsyeja sipas Veselit pse po shkojmë në dialog me Serbinë.

Ai bëri të ditur që nesër do t’i njoftojnë vendet e Quintit dhe përfaqësuesen e BE-së për zotimin e tyre si institucione të Kosovës për këtë proces. “Të gjithë duhet jemi bashkë dhe do të jemi bashkë në këtë proces”, tha ai.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi u shpreh se e vlerëson iniciativën që të takohen si sot për angazhim shtesë të ekipit negociator për koordinim më të mirë me qëllim të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Thaçi u shpreh se ka marrë disa sygjerime nga Veseli dhe Haradinaj.

Presidenti më tutje u shpreh se procesi është i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe se Kosova dhe rajoni është ndryshe pas letrës së Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, i cili tha se ka kërkuar që të marrim përgjegjësitë edhe ne si Kosovë.

“Dhe jam i bindur se aty ku do të jetë Këshilla e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë edhe vendimi i institucioneve të shtetit të Kosovës që ky proces aktiv që do të jetë edhe dinamik do të përmbyllet në përputhshmëri me aspiratën e plotë të Kosovës për NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Thaçi, shkruan rtv21.tv

Në takim, përveç Veselit ka marrë pjesë: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa, nga ekipi negociator janë: Shpend Ahmeti, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Dardan Gashi, Mahir Yagcilar. Ndërkaq, Fatmir Limaj nuk ka marrë pjesë në takim, pasiqë siç mëson RTV21 ai është jashtë vendit. Po ashtu, në këtë takim nuk ka marrë pjesë LDK-ja dhe Vetëvendosje./21Media

Back to top button