Thaçi: Austria ndër zërat kryesor për Kosovën

Austria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me presidentin e Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, në Pallatin Hofburg në Vjenë,  me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe intensifikimin e agjendës euro-atlantike për Kosovën.

Thaçi e ka uruar Van der Bellen për zgjedhjen e tij në postin e kreut të shtetit të Austrisë dhe ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera, historikisht, në mes të Kosovës dhe Austrisë.

“Austria ka qenë ndër zërat kryesor përkrahës për Kosovën para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Sot është ndër investitorët kryesor në Kosovë. Dëshirojmë që bashkëpunimin tonë ta thellojmë edhe më tutje”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se Kosova po vazhdon me konsolidimin e institucioneve shtetërore, duke vazhduar me reformat në ekonomi, në ndërtim të institucioneve demokratike dhe në sundim të ligjit.

Duke folur për rajonin, Thaçi u shpreh se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me vendet fqinje, derisa me Serbinë është e përfshirë në procesin e dialogut që duhet të sjellë normalizim të plotë të marrëdhënieve, bashkëpunim ndër-fqinjësor dhe pajtim në mes dy shteteve.

Duke folur për BE-në, Thaçi u shpreh se vonesat e BE-së janë shqetësimi kryesor për Kosovën dhe për tërë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk po kërkojmë konfrontim me BE-në, por dialog të sinqertë dhe strategjik, që do të sjellë integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE”, shtoi Thaçi.

Nga ana tjetër, Bellen ka thënë se Austria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën./21Media

Back to top button