Thaçi: Çështja e të pagjeturve është turpi i Bashkësisë Ndërkombëtare

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i bërë presion Serbisë dhe për të ndriçuar fatin e të pagjeturve dhe për të ndriçuar të gjitha krimeve që i kanë kryer në Kosovë.

Këtë thirrje kreu i shtetit e ka bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve kujtojmë 1647 qytetarët tanë të pagjetur. Çështja e të pagjeturve është turpi i bashkësisë ndërkombëtare dhe është për keqardhje që Serbia po e politizon edhe zbardhjen e fatit të tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për t’i bërë presion Serbisë dhe për ta zbardhur fatin e të pagjeturve dhe çdo krim të kryer në Kosovë”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.

I pari i vendit u zotua se nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuari që të ndriçohet fati i tyre.

“Nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi për çdo viktimë, për çdo të zhdukur, për çdo familje”, tutje ka shkruar ai.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për ata njerëz që kanë humbur gjurmët në konflikte apo rrethana të tjera. 30 Gushti është shpallur nga Kombet e Bashkuara si ‘Dita për të nderuar viktimat e zhdukjes së dhunshme’. Kjo ditë shënohet edhe në vendin tonë, ku edhe 1640 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur vetëm nga lufta e fundit./21Media

Back to top button