Thaçi kërkon që mandati i Speciales të zgjasë deri në njoftimin e përfundimit nga Këshilli i BE-së
Kreu i shtetit, Hashim Thaçi përmes një videomesazhi iu është drejtuar qytetarëve lidhur me Gjykatën Speciale. Ai kërkon nga Kuvendi i Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Thaçi thotë se është e nevojshme të qartësohet mënyra sesi mbyllen Dhomat e Specializuara dhe beson se deputetët do ta përkrahin iniciativën e tij.
Mes tjerash presidenti ka deklaruar se gjykatat që janë caktuar nga bashkësia ndërkombëtare për të gjykuar luftën e UÇK-së janë të padrejta. Sipas tij, fati i Kosovës nuk duhet të jetë në dorën e atyre që nuk e dëshiruan lirinë e vendit.
“I kam ndjekur iniciativat që kanë nisur për skadimin e Gjykatës Speciale, e dimë që këto vite Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat, dhomat e specializuara janë gjykata e pestë me radhë ndërkohë heshtja ndërkombëtare po aprovohet si amnistim i gjenocidit të Serbisë. E dimë se sa shumë dhe padrejtësisht për këto dy dekada me radhë ka pasur akuza dhe shpifje kundër luftës të cilat janë kthyer në çështje gjyqësore e pastaj janë kthyer baltë mbi luftën tonë”, ka thënë presidenti Thaçi në adresimin e tij para qytetarëve./21Media