Thaçi: Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një perspektivë, atë pa kufijtë

“Faleminderit Shqipëri”

Kisha Katolike në Kosovë ka organizuar një akademi solemne për të përkujtuar 20 vjetorin e mikpritjes së Shqipërisë gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999.

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, tha se në periudhën e errët të 1999 mund të shihet si pozitive hapja e dyerve nga populli e shteti i Shqipërisë.

“Viti 1999 ishte një vit i tmerrshëm në historinë tonë të përbashkët, por nëse duam ta gjejmë dimensionin pozitiv arrijmë ta gjejmë atë. Pasi ka qenë viti i bujarisë, dashurisë, ku shteti dhe populli ka hapur dyert për kosovarët që kanë qenë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Kjo ndjenjë falënderimi nuk ka munguar, por kjo mënyrë që ne kemi dashur të themi faleminderit solemnisht është më e mirë, sepse jehon më shumë, dëgjohet më larg”, tha ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se kjo akademi me karakter falënderimi na sprovon mendjen e kthjellët përballë fjalës më sublime, fjalës atdhe.

“Atdheu është i përjetshëm, individi jo. Prandaj sot falënderohet Shqipëria. Shqipëria që qëndron mbi çdo ideologji që e sfidoi çdo ideologji, Shqipëria e unitetit dhe lirisë fetare. Shqipëria e flamurit tonë të përbashkët, Shqipëria me shpirt, frymë dhe traditë evropiane, Shqipëria e flamurit kombëtar. Sot këtu falënderojmë Shqipërinë. Falënderojmë Shqipërinë që na mbajti edhe neve të gjallëve. Shqipërinë që na bëri të dimë se Serbia dhe Jugosllavia nuk është shteti ynë. Shqipërinë që përkrahi kryengritjen e Kosovës. Falënderojmë Shqipërinë që sfidoi gjenocidin. Kosova përjetësisht i falënderohet Shqipërisë”, tha ai.

Thaçi foli edhe për tërmetin në Shqipëri.

“Me 1999 ra përfundimisht kufiri më i blinduar ai i trojeve shqiptare. Sot Kosovën dhe Shqipërinë i bënë bashkë rruga e kombit, Kosova me dhimbje përjetoi tërmetin në Shqipëri. Bota u tregua solidare, por ndjenjat tona kanë qenë tjera, kanë qenë vëllazërore. Ushtarët e Kosovës, populli u tregua shumë solidar”, tha ai.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një perspektivë, perspektivën e përbashkët pa kufijtë, perspektiven me miqtë tanë.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se viti 1999 ishte një vit i sprovës, por që tha se populli kishte hapur dyert për popullin e Kosovës.

“Shqetësimi im është të punojmë për të mbajtur të rinjtë, kjo është sfida jonë më e madhe. Në një kishë katolike dëgjova se rreziku më i madh i asimilimit vije nga liria e tepruar. Tu krijojmë mundësi të rinjve tanë, ta shohin mundësinë këtu, të investojmë më shumë për edukimin e tyre me dashurinë për atdheun. Unë besoj që jemi në kohën e duhur për të pasur një reflektim në këtë drejtim. Unë do të doja të shprehja falënderimin për popullin e Kosovës, për institucionet, në veçanti për FSK-në që ne përjetuam në Shqipëri, pasi Kosova ishte e para që u gjend në Durrës. Ky 20 vjetor është njëkohësisht edhe një mundësi që Kosova të tregoi vullnetin e saj për pajtim, për bashkëpunim, gjithmonë në mënyrën më dinjitoze, duke qenë një shembull në rajonin tonë duke qenë një popull që ka vuajtur nga padrejtësitë shikon drejtë të ardhmes”, tha ai.

Viti 1999 ani pse ishte një viti i tmerrshëm në historinë e re të shqiptarëve, mu këtë vit, shqiptarët kanë përjetuar një moment tejet të bukur bujarie, mikpritjeje dhe dashurie ndërvëllazërore. Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë, angazhoi institucionet dhe vuri tërë kapacitetin shtetëror, por edhe shqiptarët në tërësi hapen zemrat, shtëpitë e tyre dhe ndihmuan në shumë forma tjera, me të cilat e shprehën dashurinë, bujarinë dhe mikpritjen për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, të cilët dëboheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Back to top button