Lajçak fillimisht takon Bislimin, më pas Petkoviqin

(Lajm i përditësuar)

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar paraditen e së martës në Bruksel përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më pas, Lajçak pritet të takohet me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas takimeve bilaterale, pritet takimi trilateral, ku sipas BE-së palët do të diskutojnë për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bislimi, i cili ka udhëtuar dje drejt Brukselit, ka takuar sot edhe komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Komisionari evropian shkroi në Twitter se kanë biseduar për agjendën e reformave evropiane dhe për opsionet se si do të mund të ndihmoj Komisioni Evropian në implementimin e atyre që janë arritur në dialog, që ky të jetë i suksesshëm.

Bashkimi Evropian tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Bashkimi Evropian e ka quajtur marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit. Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përseritjes s tensioneve.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Takimi Bislimi-Petkoviq është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./rel

Para takimit në Bruksel, Varheleyi takon Bislimin

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka takuar sot shefin e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin.

Varhelyi ka bërë të ditur se me Bislimin kanë diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kanë përpara.

“Nisja e ditës me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi duke diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kemi përpara, dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Prishtinë-Beograd të jetë i suksesshëm”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia sot do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, i pari që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Sot do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.

​Dialogu Kosovë-Serbi, sot takohen kryenegociatorët

Kosova dhe Serbia sot do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, i pari që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Sot do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.

Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.

Gjatë së hënës, zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano për RTV21 tha se presin nga Kosova dhe Serbia që të të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

“Takimi i kryenegociatorëve është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, tha Stano.

Stano përsëriti se të dy palët kanë rënë dakord për marrëveshjen dhe aneksin dhe diskutimet për mungesën e nënshkrimit janë të kota.

“Ajo që është e rëndësishme është se të dyja palët ranë dakord për këtë tekst, është një deklaratë politike. Ky është zotim i qartë që është pranuar nga të dyja palët përmes deklaratës së përfaqësuesit të lartë, deklaratë e cila është publikuar gjatë natës pas përfundimit të bisedimeve të Ohrit. Pra, ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj. Pra, çdo diskutim për nënshkrimin ose jo është krejtësisht i kotë, sepse ajo që duhet tani është përmbushja e zotimit, dhe zotimi ishte shumë i qartë, zotim për zbatim”, ka thënë Stano.

Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Back to top button