Thaçi: Nuk ka agjendë as individ që e prish miqësinë e Kosovës me SHBA-në

Thaçi e ka cilësuar këtë takim të zakonshëm

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi është deklaruar pas takimit të krerëve institucional me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, duke e konsideruar këtë takim të zakonshëm.  Këto deklarata Thaçi i ka dhënë pas homazheve te shtatorja e dëshmorit, Zahir Pajaziti.

“Takimet e tilla ndodhin shpesh, janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, edhe me bartësit e institucioneve”, duke shtuar se ky takim i ka kontribuar qartësisë së temës dhe bashkëpunimit me SHBA-në.

Thaçi ka thënë se nuk ka agjendë as individ qe e prish miqësinë e Kosovës me SHBA-në.

“Kosova është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i Amerikës, dhe nuk ka individë apo agjendë ditore që do ta sfidojë këtë partneritet, as sot as kurrë”, ka thënë ai.

Edhe kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj është deklaruar pas takimit me Kosnett. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

“Ne jemi në proceset reale politike, të gjitha janë të mundshme në këto ditë e javë që vijnë, e para të shtunën me i kry detyrat që i kemi… nëse vazhdojnë mospajtimet politike, atëherë mund të rezultojnë me gjëra tjera”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Krerët e shtetit janë takuar sot me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, i cili ka dalë më herët nga takimi. Ndërkaq, mbrëmë janë takuar edhe krerët e koalicionit qeveritar. Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional./21Media

Back to top button