Haradinaj nuk e përjashton mundësinë e rrëzimit të Qeverisë

Haradinaj ka thënë se gjithçka është e mundshme në ditët e javët që vijnë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka thënë se brenda koalicioni ka mospajtime, ani pse në komunikatën që e kanë dërguar mbrëmë është bërë e ditur se koalicioni qeverisës është stabil. Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

“Ne jemi në proceset reale politike, të gjitha janë të mundshme në këto ditë e javë që vijnë, e para të shtunën me i kry detyrat që i kemi… nëse vazhdojnë mospajtimet politike, atëherë mund të rezultojnë me gjëra tjera”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Haradinaj është i interesuar për marrëveshje me Serbinë, por pa shkëmbim territoresh dhe asociacion.

“Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shancë dialogut. Jam për dialogun por se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë. Ne i vazhdojmë konsultat me partnerët e koalicionit. Duhet të vazhdohet dialogu dhe aty të flitet për taksën e të gjitha”, ka thënë ai pas homazheve te shtatorja e strategut, Zahir Pajaziti.

Haradinaj ka folur edhe për takimin me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett ku  ka thënë se është një kërkesë e vazhdueshme që taksa të hiqet, për të vazhduar dialogun. Megjithatë, Haradinaj ka ritheksuar se taksa është vendim i Qeverisë, është sovran dhe ka thënë se nuk duhet të përzihen temat.

“Na kërkohet që me ja jap shancën dialogut na kërkohet edhe prej ambasadorit amerikan, i dëgjojmë me kujdes këto mendime, dëshira ime është me pa dialogun tu vazhdu, po nuk e kuptoj pse ndërlidhet dialogu me një temë që është e Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

Krerët e shtetit janë takuar sot me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, i cili ka dalë më herët nga takimi. Ndërkaq, mbrëmë janë takuar edhe krerët e koalicionit qeveritar. Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional./21Media

Back to top button