Thaçi prezantoi të arriturat, humbjet dhe dështimet e Kosovës gjatë vitit 2018

Thaçi pret që marrëveshja përfundimtare të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvendin e  Kosovës mbajti fjalimin vjetor për të paraqitur të arriturat e Kosovës gjatë këtij viti.

Derisa tha se është i lumtur të prezantojë të arriturat e vendit në 10 vjetorin e shtetit të Kosovës, i pari i vendit, Hashim Thaçi deklaroi se vitit 2018 ishte vit jubilar ku u shënua dekada e parë e shtetit.

Thaçi tha se 10 ditë feste me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë ishin rast i mirë për të prezantuar se ku ka qenë Kosova, ku është dhe kah do të shkojë. Duke u shprehur mirënjohës për të gjithë ata që u flijuan për vendin. Thaçi tha se viti 2018 kishte një fillim të rëndësishëm për vendin, me ç’rast përmendi votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. I pari i vendit tha se nuk ta lejojë në asnjë rrethanë themelimin e një asossacioni të komunave serbe që tingëllonte si republika serbe në Kosovë. “Zotohem para jush që një gjë e tillë nuk do të ndodh pra themelimi i një assosacioni me elemente ekzekutive që do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës”, tha ai.

Thaçi po ashtu përmendi krerët botërorë që ka pritur në Kosovë, si dhe takimet që ka zhvilluar në vende të ndryshme botërore.

Presidenti gjatë fjalimit vjetor tha se edhe në këtë vit që po lëmë pas, Kosova ka shënuar humbje, me ç’rast përmendi vdekjen e simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçin dhe vdekjen e ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit. Thaç u shpreh se do ta ruajnë kujtimin për këto dy personalitete dhe do ta vazhdojnë rrugën e tyre.

Presidenti i vendit theksoi se humbje gjatë vitit 2018 Kosova ka pasur edhe sa i përket mosanëtarësimit në Interpol, si dhe dështimin për mosliberalizimin e vizave.

Krahas dështimeve, Thaçi tha se ndihet krenar me të arriturat e artistëve dhe sportistëve kudo në botë. “Është bërë e gjatë lista për t’i përmendur me emra një ka një”, tha presidenti.

Thaçi më tutje tha se është mirënjohës që ka nënshkruar ligjin per reformën ne drejtësi, duke shtuar se Kosova ka nevojë për qeverisje më efikase dhe tha se në këtë drejtim ka besim që do të angazhohen të gjithë.

I pari i vendit më tutje theksoi se është ndier i lumtur dhe krenar që janë votuar Ligjet për Ushtrinë. “Shpesh jam ndier i vetmuar në themelimin e ushtrisë në vitet e fundit por, jam i lumtur që tani gjithë spektri politik u bë bashkë për  themelinë e ushtrisë, ju thëm se ata e kanë merituar moti këtë. FSK do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale në shërbim të paqes në rajon dhe më gjerë”, theksoi ndër të tjera Thaçi.

Duke u shprehur se Kosova ka një shekull armiqësie me Serbinë, si dhe duke përmendur dhunimet dhe të këqijat që Serbia i ka bërë ndaj popullsisë së Kosovës, Thaçi tha se është koha të shikohet kah e ardhmja dhe arritja e paqes.

Thaçi tha se e mirëpret ekipin negociator për dialog me Serbine, duke shtuar se kjo marrëveshje duhet t’i sjellë Kosovës njohjen nga Serbia.

Duke përmendur letrën e presidentit të ShBA-së, Donald Trump-it që ia ka dërguar Thaçit, presidenti Thaçi tha se Kosova ka mbështetjen e shtetit më të fuqishëm në botë, si dhe përkrahjen e vendeve të BE-së dhe rajonit.

Në fund, Thaçi tha se për të arritur marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk duhet të humbë kohë, pasiqë theksoi se siç ka thënë presidenti amerikan kjo mundësi nuk mund të vijë edhe për një kohë të gjatë.

Presidenti konfirmoi që Kosova është gati për dialog, zotohet për njohje të Kosovës nga Serbia, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ndryshimin e rezolutës 1244. Presidenti në fund uroi festat e fundvitit.

Fjalimin vjetor të presidentit Thaçi e bojkotoi opozita./21Media

Back to top button