KMDLNJ përsëri kërkon shkarkimin e Pacollit, si dhe të ministrave serbë

Sipas tyre shkarkimi i Pacollit është mënyra e vetme të këndellet kjo ministri

KMDLNJ përmes një njoftimi për media ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli si dhe ka kërkuar shkarkimin e ministrave serbë të Qeverisë.

KMDLNJ kërkon që të shkarkohet, jo vetëm ministri Nenad Rikalo por të gjithë ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës të cilët, sipas tyre ekskluzivisht për shkaqe politike dhe sipas kërkesës së Serbisë , përkatësisht presidentit Vuçiq, me muaj të tërë e bojkotojnë punën në Qeverinë e Kosovës në ndërkohë që i shpërdorojnë të gjitha të drejtat që nuk iu takojnë , duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duhet t’i thërras në takim duke iu dhënë një afat të caktuar kohor dhe pas kësaj nëse nuk iu kthehen detyrimeve për çka edhe marrin paga, duhet t’i shkarkojë.

KLMDNJ gjithashtu ka kërkuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në bazë të përgjegjësive që ia njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovë t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat në veri të Kosovës, kryetarët e të cilëve për motive politike kanë dhënë dorëheqje. “Dorëheqjen e këtyre kryetarëve KMDLNj e konsideron të ligjshme dhe të parevokueshme prandaj çdo përpjekje për të mos shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme për këto komuna nga ana e presidentit të Kosovës e konsideron si shkelje të Kushtetutës së Kosovës për të cilën duhet të ketë përgjegjësi ligjore.”, shkruhet në reagimin e tyre.

KLMDNJ ka kërkuar që masa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të mbetet në fuqi si dhe të shqyrtohen masa të tjera që do të siguronin zbatimin e reciprocitetit 100% ndaj këtyre dy shteteve.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përkrahë kërkesën e kryeministrit Haradinaj për ulje të çmimeve të karburanteve si dhe kërkon që Prokuroria e Shtetit të nis hetimet për dëmtim të buxhetit të qytetarit përmes fryerjes së këtyre çmimeve. “Për fund, KMDLNj kërkon hetim ndaj KEDS – it shkaku se faturat për muajin e fundit janë 200 – 400% më të larta se në muajin paraprak , në kohën kur ka pasur reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
Është bërë si rregull nga KEDS që faturat e muajit dhjetor, në çdo vit, të fryhen në masë të së padurueshmes dhe për këtë askush nuk merret në përgjegjësi ndërsa e pëson qytetari – konsumatori që ende nuk është kompensuar për plaçkitjen thuaja 15 vjeçare nga ana e operatorëve për energji elektrike duke ua ngarkuar kundërligjshëm në fatura edhe shpenzimet e serbëve që nuk e kanë paguar dhe ende nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar elektrike.”, shkruhet në reagimin e shkruar nga KLMDNJ./21Media

Back to top button