Thaçi propozimin francez e quan më të keqin që ka marrë Maqedonia
Sa më shumë shqelmon, aq propozime më të këqija do të marrësh, u shpreh kreu i PDSh-së Menduh Thaçi në “Click Plus”, duke vlerësuar se propozimi francez është më i keqi që Maqedonia e ka pasur ndonjëherë, sepse sa herë që ka refuzuar ndonjë zgjidhje me Bullgarinë, propozimi i ardhshëm ka qenë më i keq.
“Çdo herë që është refuzuar kategorikisht, ka ardhur më keq. Në 2008-tën kur ne kemi qenë në Qeverisje me VMRO-në, propozimi i atëhershëm ka qenë, 100% jo, por 50% më i mirë si propozim”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSh-së.
Megjithatë, sipas tij, ky propozim aktual është kompromis i mirë, ndonëse i hidhur, por thotë se nuk nuk ka rrugë tjetër.
“Kur jo mohoni një rrugë, duhet të keni një alternativë. Ne në Maqedoni ballafaqohemi me një alternativë tjetër, e cila është Rusia, e çka, maqedonasit në një union të tillë tërësisht do të jenë të asimiluar që në sekondën e parë”, tha Thaçi.
Protestat kundër propozimit francez që i thërret VMRO-DPMNE-ja, Thaçi i quan anti-maqedonase, pasi që sipas tij, sjellje e këtillë vetëm se e përkeqëson pozitën maqedonase.
“Gabim është të mendohet se ky rezultat është arritur me meritë të Qeverisë së Maqedonisë. Negociatorë kryesorë në këtë çështje kanë qenë aleatët tanë strategjik. Dua të përkujtoj. E çuditshme, qeveria e Bullgarisë ra, ndërsa vetoja u hoq. Janë përdorur makineri të rënda të presionit ndaj elitës politike në Bullgari, duke filluar nga Presidenti e deri tek lideri i opozitës, duke thënë shumë hapur se këtë që po e bëni, iu ka nxitur Rusia, ose duhet të jepni argumente se nuk është Rusia. Unë nuk uroj që opozitës Maqedonase t’i ndodh kjo”, shtoi ai.
Përmendi edhe mbështetjen shqiptare ndaj maqedonasve, pasi që nuk e kontestojnë as identitetin e as gjuhën.
“Forcat politike që shqiptarëve të Maqedonisë, të mbështetura nga elitat politike dhe intelektuale edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, janë përcaktuar pro Maqedonisë”, tha Thaçi.
Thaçi apeloi po ashtu që të mos keqpërdoret i gjithë konstruktiviteti i shqiptarëve në këtë proces, ndërsa shtoi se jo rastësisht Maqedonia dhe Shqipëria janë në të njëjtën pako eurointegruese, për shkak se janë kjo lidhje është për shkak të shqiptarëve në Maqedoni./21Media