Thaçi thotë se dy aktakuzat e ZPS-së iu ngritën pak para zgjedhjeve në Kosovë: S’kam ambicie politike

Gjatë konferencës mbi ecurinë çështjes, fjalën e mori i akuzuari Hashim Thaçi i cili theksoi se dy aktakuzat ndaj tij janë ngritur pak para zgjedhjeve në Kosovë nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ai tha se aktakuza e parë u ngritë pak muaj para se të rizgjidhej president i Kosovës ndërsa tash aktakuza e fundit iu është ngritur dy muaj para zgjedhjeve elektorale.
“Si c e tha edhe avokatja, para se të deklarohem dëshiroj që të shtojë edhe diçka. Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi për mbarëvajtjen e rregullt kushtetuese dhe ligjore që duhet të ndodhë. Ju e dini që para katër vitesh, në nëntor 2020 u ngritë aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Tash para dhjetë ditësh nxitimthi, Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se nuk ka asnjë ambicie politike për ndonjë pozitë të caktuar në Kosovë.
“Unë dua ta sqarojë edhe njëherë se unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president, as për kryeministër, as për deputet e as për ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë tjetër publike”, tha Thaçi.
Thaçi ritheksoi se nuk paraqet rrezik për askend në kuptimin politik apo për ndonjë projekt qeverisës.
“Po e theksojë që nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik apo për ndonjë projekt qeverisës. Gjithë jetën time kam punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës me vizionin për anëtarësim në ANTO, BE në raport special të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Ish-presidenti tha se mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës e minon demokracinë në vendin e tij.
“Por e nderuara, gjyqtare dëshiroj që të ritheksojë dhe nënvizoje domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetues dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar. Prandaj, ftoj që të ruhet përmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha ai.
Tutje, Masselot vazhdoi me seancën duke treguar procedurat që duhet ndjekur për nxjerrjen e materialeve. Ajo tha se ZPS-ja është në pritje të disa rezultateve Forenzike për disa prova që janë marrë gjatë bastisjeve tek Kilaj.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?