Thaçi dhe Smakaj nuk deklarohen as sot lidhur me akuzat e ZPS-së

Në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes, dy të akuzuarit Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj kanë zgjedhur që të mos deklarohen lidhur me akuzat e ZPS-së për pengim të drejtësisë.
“Në këtë fazë klienti im nuk dëshiron që të bëjë vetëdeklarimin”, tha Sophie Menegon e cila përfaqëson sot Thaçin në seancë.
Ngjashëm po ashtu tha edhe avokati i Bashkim Smakaj, Bas Martenes.
“E njëjta gjë vlen edhe për klientin tim”, tha Martenes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, Marjorie Masselot, e cila është gjyqtare e procedurës paraprake tha se në rast që Thaci dhe Smakaj nuk e shfrytëzojnë këtë të drejtë atëherë ajo do ta bëjë vetëdeklarimin e tyre si të pafajshëm.
“Meqë që të dy keni zgjedhur që të mos bëni vetëdklarimin sot, rikujtoj udhëzimet që i ka përcaktuar në urdhrin për caktimin e kësaj seance sot dhe ju ftoj që të bëni vetë deklarimin në qoftë se do të bëni në formë të shkruar deri me datën 7 janar 2025 në orn 12:00. Në qoftë se vendosni që të mos e përdorni këtë të drejtë, atëherë unë në emrin tuaj do të bëjë vetëdeklarimin si të pafajshëm në përputhje me rregullën 95”, tha Masselot.
Ndryshe, disa nga palët janë të pranishëm përmes video-lidhjes duke përfshirë Thaçin, avokaten e tij, Hajredin Kuçin etj.
Kilaj përfaqësohet nga avokati, Iain Edwards, Hajredin Kuçi nga avokati Alexander Admiral, Fadil Fazliu nga Michiel Pestman.
Si dhe prokuroria përfaqësohet nga prokurori Joshua Hafetz.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.