Thaçi: Uroj të ndodh takimi i 8 janarit për shumë arsye

“Kur ata të shkojnë në Bruksel me 8 janar, unë do të jem në Brezovicë për skijim”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e fundvitit me gazetarë u shpreh se do të punohet që në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet një marrëveshje, që Kosova të fitojë njohjen nga shteti serb.

Thaçi tha se mbështetja e SHBA-ve është shumë e qartë e që ka krijuar një rrethanë të re në këtë proces, në mënyrë që sa më parë të arrihet një marrëveshje.

Presidenti para gazetarëve tha se do ta përkrahë dhe do të jetë në dispozicion të ekipit negociator të Kosovës dhe se uron që të ndodhë takimi i 8 janarit.

“Kam takuar Limajn dhe Ahmetin si bashkëkryesues të ekipit dhe sot me tërë ekipin. Tash pas letrës së Trumpit, është e qartë se SHBA është mbështetëse e dialogut, nuk ka ndonjë dilema a e mbështet Amerika dialogun, prandaj uroj që marrëveshja të bekohet në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump, siç ka thënë edhe vet ai. Uroj të ndodh takimi i 8 janarit për shumë arsye. Kur ata të shkojnë në Bruksel me 8 janar, unë do të jem në Brezovicë për skijim. Të gjitha vendet e rajonit kanë konfirmuar mbështetje për dialogun me Serbinë, ma thanë edhe javën e kaluar kur isha në Bruksel”, tha Thaçi.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dje ka thënë se me 8 janar do të takohet delegacioni shtetëror në Bruksel me lehtësuesit e dialogut, me të cilët do të diskutojnë për dialogun me Serbinë.  Ai ka sqaruar se në këtë takim nuk do të marrë pjesë kreu i shtetit, Hashim Thaçi, sepse nuk është pjesë e delegacionit shtetëror.

Duke folur për Gjykatën Speciale dhe sistemin e drejtësisë, presidenti Thaçi tha se nuk ka asgjë për të fshehur. Sipas tij, të gjithë njerëzit e Kosovës kanë kaluar nëpër sistemin e drejtësisë dhe kanë dalur të pafajshëm.

Nga muaji dhjetor i këtij viti kanë filluar ftesat për intervistim për ish-luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Back to top button