Thaqi i befasuar me vendimin, shkarkimin e cilëson qesharak dhe jo profesional

Skuadra e Malishevës përmes një njoftimi zyrtar ka njoftuar sot për shkarkimin nga detyra e trajnerit Arsim Thaqin.
Thaqi është shkarkuar pas gjashtë ndeshjeve në krye të Malishevës këtë sezon, ku kjo e fundit e cilësoi si një fushatë zhgënjyese deri tani.
Tani, trajneri Thaqi ka treguar se nuk e di se si erdhi deri te ky vendim, pasi që presidenti i klubit është jashtë vendit për ta shikuar ndeshjen mes Slavia Pragues e Ballkanit.
Në një intervistë për KP, Thaqi ka thënë se vendimi për shkarkim i është komunikuar përmes një telefonate nga një anëtarë i bordit, ndërsa ka treguar se klubi ende nuk i ka kryer obligimet e veta ndaj tij.
“Po nuk e di, presidenti është jashtë…., ka shkuar për ta shikuar Ballkanin. Nuk e di unë përveç një komunikimi me një anëtarë të bordit që kam komunikuar, që ka thënë së e ka thirr presidenti dhe i ka thënë se nuk jam më….presidenti duhet me ardh mu ul përballë dhe me shiku a i ka përmbush ai obligimet e veta, dhe më pastaj ta gjejmë një zgjidhje. Unë e kam kontratën deri në qershor të vitit 2023, duhet për të përfunduar kushtet dhe obligimet e secilës palë. Për të shkarkuar është shkarku edhe trajneri i Kosovës….normal edhe trajneri i Malishevës shkarkohet, po obligimet që i ka klubi ndaj tij i merr përsipër klubi edhe pastaj jemi në rregull, por përderisa nuk kemi një komunikim me presidentin unë e marr pak hajgare këtë punë”, ka thënë Thaqi.
Më tej, ai ka treguar se klubi ka obligime për të kryer ndaj tij, pasi që kur njëra palë vendos për shkarkim duhet të bëjë një marrëveshje për shkëputje të dyanshme.
“Nuk janë kryer të asnjë viti, por normal nëse e shkëput dhe nëse kemi marrëveshje me shkrim atëherë marrëveshjen paraprake e ndryshon një marrëveshje tjetër. Dëshiron me shkëput kontratën e bënë marrëveshjen tjetër për shkëputje të dyanshme. Momentin që njëra palë e shkëput njëanshëm atëherë i merr obligimet ajo pala që i ka nënshkruar njëanshëm”, thënë Thaqi.
Po ashtu, tanimë ish-trajner i Malishevës, Thaqi ka treguar se ka mbetur i habitur nga ky vendim pasi klubi deri tani është brenda objektivave të këtij sezoni, ndërsa ka fajësuar klubin se kushtet kanë qenë faktorë që lojtarët të mos e bëjnë me vullnet punën e tyre.
“Nuk e kom prit këtë për shkak se jemi brenda objektivave, është fillim i kampionatit, edhe unë nuk e kom pretendu që Malisheva mundet me ndërtu një ekip që mundet me dominu Prishtinën ose ligën. Por, gradualisht unë ekipin e kom bë atë që më ka taku mu, po mendoj që ekipi ka avancu ma shumë se sa që ka punu klubi për kushtet. Kushtet te na nuk kanë qenë për këtë nivel për lojtarët që i ka Malisheva, por tu prit që gjërat kanë mu përmirsu, gjërat shkuan duke u përkeqësuar, sa i përket kushteve po foli, se normal që këto kushte këto rrethana kanë qenë edhe paksa vështirë për këta lojtarë që me bo punën e tyre”, ka thënë Thaqi.
Për fund, Thaqi e ka cilësuar vendimin e presidentit si qesharak, pasi që kontributi i tij duhej të vlerësohej edhe nga presidenti, dhe jo të merret vendimi përmes një telefonate larg vendit.
“Kontributi jem ish dasht mu vlerësu edhe prej presidentit. Këto vendimet prej së largëti e me telefon janë jo profesionale për mu, le ta komenton ai presidenti qysh të dëshiron, por është total jo profesional në këtë vendim. Është dashtë me prit me qenë më njerëzorë”, ka theksuar Thaqi.
Në krye me trajnerin Arsim Thaqi, skuadra e Malishevës në gjashtë ndeshje të zhvilluara në këtë sezon ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe tri humbje, kështu duke u renditur në vendin e gjashtë me shtatë pikë të arkëtuara./KP

Back to top button