Thirrje Qeverisë: Hapeni rrugën për pagën minimale

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i ka bërë thirrje qeverisë që të hartojë sa më parë Projektligjin për Paga.
Në këtë mënyrë sipas tyre, hapet rrugë për pagën minimale si dhe kontratën kolektive.
“E thërrasim Partnerin Tonë Social – Qeverinë që të merret më këmbëngulshëm e më profesionalisht me hartimin e Projektligjit për Paga, duke i përfshirë edhe kapacitetet tona profesionale, dhe të hapë rrugë për Pagën Minimale e edhe për Kontratën Kolektive, për këto akte të rëndësishme e tejet të nevojshme juridike të cilat po tejzvarriten. Kjo tejzvarritje nuk është aspak e mirë e sidomos kur është premtuar dhe është bërë marrëveshja e është marrë zotimi, na respektoni që të mund të kemi respekt të dyanshëm”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
BSPK-ja po ashtu i bëri thirrje Qeverisë për kujdes për ruajtjen e lirisë dhe të integritetit të vendit, por sipas tyre përveç kësaj ka rëndësi edhe mirëqenia sociale.
“Në kohën kur lufta në Ukrainë po intensifikohet, dhe e ka angazhuar vëmendjen e Fuqive të Mëdha, të SHBA-së, të NATO-s dhe të BE-së, dhe ka nxjerrë në dritë mendësinë mesjetare të fqinjit tonë i cili haptas po kërcënon lirinë dhe integritetin tonë, ne Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërrasim Partnerin Tonë Social – Qeverinë që përveç kujdesit të tejshtuar për ruajtjen e lirisë dhe të integritetit të vendit, të merret edhe me kërkesat e arsyeshme të punëtorëve dhe t’ju dalë krahë se vërtetë kanë nevojë dhe meritojnë një mirëqenie sociale ndryshe”, thuhet tutje në komunikatë.
Paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar qysh nga viti 2011.
Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç./21Media

Back to top button