Tiranë: U promovua vepra letrare e shkrimtarit Jusuf Buxhovi

Sot në Tiranë, në kuadër të manifestimit “Tetori i librit”, në organizimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në Hotel “Tirana”, u bë promovimi i veprës letrare të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.
Kjo ngjarje kulturore, të cilën autori ia kushtoi shkrimtarit të ndjerë Ramadan Musliu, në kryeqytetin e Shqipërisë, mblodhi shkrimtarë të njohur shqiptarë, intelektulë dhe dashamirë të shumtë të librit. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Për veprën e autorit folën Alda Bardhyli, Besnik Mustafaj, Emin Azemi, Mimoza Ahmeti, Anila Mullahi dhe Monika Stafa.
Referuesit e vlerësuan veprën letrare të shkrimtarit Jusuf Buxhovi si një e arritur e rëndësishme e letërsisë shqipe. Me këtë rast, në qendër të vemendjes ishin romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” si dhe romanët e viteve të fundit “Dushkaja”, “Dosja B” dhe “Mona”.
Shkrimtari Jusuf Buxhovi, në fjalën falënderuese, pos të tjerash tha se në Shqipëri, si shkrimtar, hyri për herë të parë, në vitin 1985, me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,që u ribotua dhe asokohe u dramatizua. Tash, pas shumë vitesh, në Tiranë po rikthehet me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, të rishkruar dhe të përkthyer në shumë gjuhë botërore, po i shoqëruar edhe me shumë romane të tjera, që letërsisë shqipe ia plotësojnë tablon tematike dhe identitare./E.D-21Media

Back to top button