Tornado të fuqishme, së paku 5 të vdekur

Mot i ligë dhe stuhi në disa pjesë të SHBA-së

Së paku pesë persona kanë vdekur, pasi që një tornado e fuqishme goditi disa rajone të qytetit Kanton, në Teksas.

Sipas shefit të shërbimit të zjarrfikësve, me dhjetëra banorë tjerë janë lënduar, e një person vdiq kur stuhia me plotë kuptimin e fjalës ngriti në ajër atë së bashku me automjetin e tij, duke e hedhur makinën përtej auto-rrugës, raportuan mediat amerikane.

Sipas zyrtarëve lokalë ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi që disa persona ende konsiderohen të zhdukur. Spitalet në rajon kanë pranuar mbi 50 të lënduar si pasojë e stuhisë, disa prej tyre në gjendje kritike, shkruan rtv21.tv.

Në xhirimet e bëra mund të shihet se si tornado shkulte drunjtë nga toka, se si i ngrinte automjetet në ajër dhe së paku dy shtëpi u shkatërruan në tërësi.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Hidrometeorologjisë, qyteti Kanton u godit nga së paku tri tornado, njëra prej të cilave kishte një gjerësi prej 500 metra dhe lëvizi në një hapësirë me gjatësi 64 kilometra./21Media

Back to top button