​Torres: Isha në krizë, psikologu më ndihmoi

Ferran Torres u rikthye për të luajtur një ndeshje 90 minutëshe pas disa muajsh me probleme që përkoi me një moment të keq personal. Pas ndeshjes kundër Cadiz-it, sulmuesi i lindur në vitin 2000 foli për mediat spanjolle, duke rrëfyer për periudhën që kishte përjetuar që nga kthimi në Spanjë.
Në pjesën e fundit të vitit të kaluar ai mori pjesë edhe në Botërorin e Katarit me kombëtaren e tij, i thirrur nga Luis Enrique.
Në intervistën e dhënë për shtypin ai ka rrëfyer situatën e tij që nga rikthimi në Spanjë. Një nga pikat e prekura është obsesioni pas golit që e sulmoi aq shumë sa nuk mundi të kënaqej më, duke e kushtëzuar disponimin ekskluzivisht me krijimin e një goli në ndeshje.
“Kisha vetëm një obsesion: të shënoja gola dhe nuk po kënaqesha më. Mendoja vetëm për të shënuar, edhe nëse nuk luaja mirë, nuk kishte rëndësi për mua, duhej të shënoja gjithmonë dhe vetëm të shënoja. Shyqyr zotit, tani mësova të dal nga kjo, po argëtohem sërish. Nëse mendoj vetëm të argëtohem, atëherë gjërat vijnë vetë”, tha ai.
Torres gjithashtu foli në përgjithësi për situatën e tij dhe sesi duket se ka gjetur një rrugëdalje.
“Hyra në një gropë pa fund, nuk dija si të dilja. Pikërisht në atë moment kuptova se duhej të bëja diçka dhe kështu vendosa të kërkoja ndihmë nga një psikolog. Mua më mungonte vetëvlerësimi, nuk kisha më besim në asgjë, gjithçka më dukej e tmerrshme dhe ndjeja vetëm zemërim. Ishte një eksperiencë shumë e hidhur, por në të njëjtën kohë një nga momentet më të mira sepse tani ndihem më i fortë”, shtoi ai.
Spanjolli më pas foli edhe për kalimin e tij te Barcelona.
“Askush nuk më vlerësoi. Mbërrita në një moment shumë delikat, me skuadrën në vendin e nëntë në ligë dhe më pas e ndihmova të rikthehej në Champions League . Askush nuk e vlerësoi që pata guximin të largohesha nga Premierliga dhe të vija këtu. Por kur Barça të thërret dhe Xavi të thërret, ti lë gjithçka”, tha në fund ai.

Back to top button