Trajneri i Armenisë flet para ndeshjes me Kosovën: Ka një ekip shumë të mirë

Trajneri i Kombëtares së Armenisë, Roman Berezovsky në konferencën e sotme për media para ndeshjes së nesërme me Kosovën e analizoi këtë të fundit, ku ndër të tjera tha se “Dardanët” kanë një ekip shumë të mirë.

Berezovsky tregoi se i përcjell ndeshjet e kombëtares sonë, ndërsa është i vetëdijshëm për kualitetin e lojtarëve që ka Kosova, por se pavarësisht kësaj shpresoi në paraqitje të mirë të futbollistëve të tij.

“E përcjellim Kosovën, i përcjellim ndeshjet e Kosovës, e dimë që Kosova ka një ekip shumë të mirë, në të njëjtën kohë e dimë që ka disa lojtarë kyç të cilët i mungojnë. Sa i përket pjesës më të fortë ose më të mirë të Kosovës do të veçoja krahët e sulmit”, tha Berezovsky.

Po ashtu, Berezovsky komentoi edhe listën e lojtarëve që i ka ftuar për miqësoren e nesërme me Kosovën, duke cekur që lista e tij nuk dallon shumë nga ajo e Giresse, pasi që edhe te Armenia grumbullimi përbëhet kryesisht nga lojtarët e rinj, ndërsa shpreson që këta të fundit të ndihmohen nga lojtarët me eksperiencë që të kenë një paraqitje sa më të mirë.

“E vërteta qëndron në atë se në listën e lojtarëve tonë ka po ashtu lojtarë të cilët janë të rinj sikurse është rasti me Kosovën… Ne shpresojmë që lojtarët me eksperiencë të ju ndihmojnë lojtarëve më të rinj në mënyrë që të kenë një paraqitje sa më të mirë”, tha Berezovsky.

Nesër me fillim nga ora 18:00 stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes miqësore mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Armenisë./kp

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button