​Trajneri i Rumanisë nuk e konsideron Kosovën kandidate për vendin e dytë në grup

Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë është afruar, dhe në konferencën e sotme për media u paraqit trajneri rumun Edward Iordanescu.

Iordanescu tregoi se ka analizuar Kombëtaren e Kosovës, për të cilën tha se ka trajner dhe lojtarë tejet cilësorë, dhe se ka arsye pse e kërkon kualifikimin në Evropian.

“Nga ajo që po shohim sot dhe se çka kemi parë në të kaluarën e afërt kemi parë që Kosova ka lojtarë të cilët janë shumë cilësorë dhe po ashtu drejtohen nga një trajnerë i cili është shumë i mirë, dhe natyrisht kanë shumë arsyeje dhe shumë argumente se përse Kosova pretendon që të kualifikohet në Evropian dhe ta kalojë këtë grup”, tha Iordanescu.

Më tej, trajneri rumun tregoi se pse nuk e sheh Kosovën si kandidate kryesore për vendin e dytë në grup.

“Do ta quaja ndër kandidatët kryesorë për vendin e dytë, jo domosdoshmërisht kandidati kryesorë. Jemi katër ekipe në këtë grup. Kemi fillimisht Zvicrën e cila merr pjesë pothuajse në çdo kompeticion, pastaj tri ekipe të tjera të cilat luftojnë për vendin e dytë në grup”, tha Iordanescu.

Po ashtu, Iordanescu nuk zbuloi se ku e sheh rrezikun direkt nga Kosova, duke thënë se ka një ekip mjaft të kompletuar i cili në momentet e caktuara është shumë i rrezikshëm.

“Nuk do të përmendi emra se kush është pika e fortë te Kosova, mirëpo vlerësoj që Kosova ka mjaft kapacitet, konsideroj që është një ekip mjaft i kompletuar i cili në momentet e caktuara është shumë i rrezikshëm dhe siç e përmenda më herët ka mjaft argumente për të pretenduar për një vend i cili dërgon në Evropian”, tha trajneri rumun.

Për fund, Iordanescu tha se Kosova ka lojtarë kampionë nëpër ligat më të forta evropiane, të cilët mund ta vendosin lojën në çdo moment.

“Siç e citova më herët ka shumë lojtarë të cilët luajnë në kampionatet më të njohura dhe më të forta të Evropës. Besoj se ata e dinë mirë se si të përballen me presionin të cilin e kanë para. Mos të harrojmë se disa prej tyre vetëm se janë shpallur me ekipet respektive kampionë siç është rasti i Amir Rrahmanit në Itali, prandaj mendoj që Kosova ka lojtarë të cilët mund ta vendosin lojën në cdo moment”, tha Iordanescu.

Nesër me fillim nga ora 20:45 stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Kosovës dhe Rumanisë, e vlefshme kjo për raundin e tretë kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

Back to top button