Të dyshuarit u dërguan në mbajtje për 48 orë

Të dyshuarit u dërguan në mbajtje për 48 orë

Policia e Kosovës pas hetimeve të zhvilluara nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale ‘Hyrja në sistemet kompjuterike’ dhe ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’, sot ka zbatuar urdhëresën për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku janë kontrolluar shtëpitë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve, në Prishtinë dhe Gjakovë.

Sipas Policisë, janë arrestuar B.J. viti i lindjes 1999, L.S. viti i lindjes 1999 dhe Y.O. viti i lindjes 1996.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme të cilat janë të ndërlidhura me rastin. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer në vazhdimësi veprat e cekura më lart me qëllim të përfitimit personal, vjedhjen e të dhënave të kartelave bankare dhe llogarive tjera të ndryshme, pastaj këto të dhëna i shitnin përmes ueb faqeve të ndryshme. Si provë materiale janë sekuestrua përkohësisht pesë kompjuter Laptop, një shtëpizë kompjuteri, gjashtë telefona celular, një veturë që dyshohet se është përfituar nga vepra penale, një IPAD, një hard disk, dy USB dhe trembëdhjetë CD”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë./21Media