Tre të lënduar nga rënia e vinçit mbi veturë në Gjilan
Tre persona kanë mbetur të lënduar në Gjilan, ku si pasojë e erërave të forta një vinç ka rënë mbi një veturë.
Personat e lënduar janë në gjendje stabile.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Më datën 28.07.2022, rreth orës 19:15 në qytetin e Gjilanit ka pasur Erëra të forta dhe shi, ku nga erërat e forta kanë pësuar lëndime në njerëz dhe dëme materiale të konsiderueshme. Në rrugën “Lufta e Gjilanit 44″, ka rënë një krane (Vinç) mbi një veturë. Vetura e cila ka qenë në lëvizje e tipit Mercedes, Pikap, me tabela vendore, në veturë kanë qenë tre persona, Shqiptarë/Kosovarë, ku sipas mjekut gjendja e tyre është stabile”, ka njoftuar Hashani.
Edhe një person tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e motit të ligë. “Në qendër të qytetit kemi edhe një person të lënduar, Shqiptarë/Kosovarë, gjendja është stabile, të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në Emergjencë-Gjilan”, ka njoftuar Hashani.
Hashani ka konfirmuar se në teren janë angazhuar të gjitha njësitet emergjente, policia, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe njësitet e KEDS-it. “Për momentin gjendja është stabile, vërshime deri në këto momente nuk kemi të raportuar dhe të gjitha rrugët janë të qarkullueshme”./21Media