Tregu i Butelit- cak i hajnave!

Malli që nuk shitet ditën, vidhet natën

Këta tregtarë, po bëjnë çmos për të shitur mallin e tyre brenda ditës. Nuk e kanë hallin e përfitimit se sa që këto produkte mos t’ju zë nata, pasi që vjedhjet janë shpeshtuar në tregun e gjelbër të Butelit në Maqedoni.

Afeti thotë se javën e kaluar kanë vjedhur në tezgën e tij produkte të veshmbathjeve, kurse një tjetër tregtar thotë se i kanë vjedhur sasi të mëdha të prodhimeve ushqimore, shkruan TV21.TV.

“Shkaku i krizës politike dhe ekonomike që është duke ndodhur në vendin tonë, janë shpeshtuar edhe vjedhjet, sidomos në pazarin tonë në lagjen Butel. Çdo javë bëhen vjedhje, thyhen tezga e thyhen dyqane. Nuk ka roje, askush nuk na merr parasysh. Thërrasim policinë, ata thonë nuk kemi patrulla të mjaftueshme për ta kontrolluar tregun”, tha ai.

Nga MPB thonë se në raste të tilla policia intervenon vetëm pas kryerjes së veprës penale, pasi që nuk është e autorizuar të bëjë roje nëpër tregjet e gjelbra, të njëjtën mund ta bëjë vetëm nëse paguhen.

“Gjatë javës së kaluar, në polici janë paraqitur dy raste të vjedhjes të ndodhura në tregun e gjelbër të Butelit. Organet kompetente të MPB-së janë duke i hetuar rastet, të cilat kanë ndodhur dy vjedhje mallrash. Policia nuk është kompetente për sigurimin e hapësirave të brendshme të tregut”, thonë nga MPB.

Në rastin e preventivës nga vjedhjet përgjegjësi nuk mban as Ndërmarrjen publike “Tregu i Shkupit”.

Tregtarët duhet të paguajnë ndonjë kompani të sigurimit që të bëjë roje për mallin e tyre në tezga.

“Tregtarët, të cilët shfrytëzojnë tezgat në tregun e Butelit, iu është siguruar hapësirë e magazinimit të mallit, por në sasi ditore, ku mund t’i ruajnë mallrat dhe të njëjtat t’i shesin gjatë ditës. “Tregu i Shkupit” nuk ka përgjegjësi të siguroj mallin, pasi që tregtarët paguajnë vetëm qiranë e tezgës”, thonë nga Ndërmarrja publike “Tregu i Shkupit”.

Tregtarët janë të detyruar vet t’ia bëjnë qarën mallit të tyre, pasi që policia nuk siguron hapësirat e brendshme të tregjeve. Kurse, Ndërmarrja publike e tregjeve të gjelbra thotë se tregtarët nuk paguajnë kosto shtesë për të siguruar mallin e tyre përmes ndonjë kompanie private të sigurimit./21Media

Back to top button