Tronditet Spanja

Më 1 tetor referendumi për pavarësinë e Katalonisë

Qeveria rajonale e Katalonisë ka ftuar banorët që më 1 tetor të votojnë në referendumin për pavarësimin e këtij rajoni nga Spanja, vendim ky i cili bie ndesh me qëndrimin e qeverisë qendrore në Madrid, e cila vendimin e cilëson si të paligjshëm dhe anti-kushtetues, shkruan rtv21.tv

Udhëheqësi i Katalonisë, Karlos Puxhemon njoftoi se referendumi për pavarësimin e rajonit do të zhvillohet më 1 tetor dhe se pyetja në referendum do të jetë A dëshironi që Katalonia të jetë shtet në formë të Republikës.

Qeveria konservatore e Spanjës, e kryesuar nga kryeministri Mariano Rahoj, ka deklaruar se nuk do të lejoj organizimin e referendumit dhe se do të ndërmerr të gjitha masat për të parandaluar atë.

Në bazë të anketave më të reja të opinionit publik, katalonasit janë të ndarë sa i përket çështjes së pavarësisë, ngase 44.3 për qind janë shprehur në favor të shkëputjes nga Spanja, ndërsa 48.5 për qind janë shprehur kundër. Megjithatë, 73.6 për qind e katalonasve mbështesin organizimin e referendumit.

Në vitin 2014, Katalonia organizoi referendumin simbolik për pavarësi, në të cilin votuan 2.3 prej 7.5 milionë banorëve të Katalonisë dhe shumica u shprehen për pavarësi. Megjithatë, ky rezultat nuk kishte fuqi ligjore dhe karakter obligues.

Sipas nenit 155 të kushtetutës së Spanjës, Madridi ka kompetenca që intervenoi drejtpërsëdrejti në drejtimin e qeverisë rajonale të Katalonisë. Gjithashtu ka të drejtë që të detyroi katalonasit që të heqin dorë nga referendumi dhe të respektojnë ligjin. Grindja mandej mund të rezultoi edhe me dërgimin e forcave policore apo suspendimin e qeverisë rajonale të Katalonisë. /21Media

 

Back to top button