Trump në takim me Hotin e Vuçiqin

 

Presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë të premten, kjo është bërë e ditur në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas njoftimit, Trumpi do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes në orën 11:00 (sipas kohës në Washington), si dhe do të mbajë më pas një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë njoftim nuk është bërë e ditur se çfarë marrëveshje do të nënshkruhet, por palët kishin bërë të ditur të enjten se bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit të 3 shtatorit, ka deklaruar se kanë bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale.
Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në atë draft marrëveshje nuk kishte asgjë të re, duke shtuar se njohja e shtetit të Kosovës nuk është më temë.

Nikoqirë të takimit të 3 shtatorit në Uashington ishte këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Tri ditë pas takimit në Uashington, më 7 shtator, delegacionet e larta të Kosovës dhe Serbisë kanë një takim në Bruksel për vazhdimin e dialogut./21Media

Back to top button