Trump do të përmbushë premtimet për NATO-n

Franca dhe Gjermania të bindura

Ministret e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Francës deklaruan se janë të bindura për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj NATO-s, përkundër faktit se presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Bruksel nuk e mbështeti zotimin e aleancës për mbrojtje të përbashkët.

Agjencitë vunë në pah se Trump shfrytëzoi praninë e tij të parë në një samit të NATO-s javën e kaluar, për të kritikuar shtetet anëtare se nuk po paguajnë aq sa duhet për NATO-n dhe i akuzoi se kanë borxhe të mëdha.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von Der Leyen, tha se është tërësisht e bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse edhe shtetet tjera, do të respektojnë nenin pesë të aleancës, sipas të cilit sulmi kundër një shteti anëtar është sulm kundër të gjitha shteteve të NATO-s.

Ajo nënvizoi se ky nen është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s dhe atë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Amerikë.

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Silvi Gullar, e cila qëndroi për vizitë zyrtare në Berlin, tha se ajo pajtohet me vlerësimin e ministres gjermane dhe tha se nuk dyshon se populli dhe presidenti amerikan do të respektojnë nenin pesë të NATO-s./21Media

Back to top button