Planifikimi i Qeverisë Hoti për ndryshimet ligjore të Trustit për tërheqjen e 10 përqind të kontributeve pensionale para moshës së pensionit nuk po del të jetë i vështirë për t’u realizuar edhe pse drejtues të Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere po konsiderojnë si një veprim jo-profesional.

Trust nuk do të nxjerrë ndonjë pengesë që një përqindje e caktuar nga fondi i tërësishëm i tij prej 2 miliardë eurosh të shfrytëzohen para moshës 65-vjeçare nga kontribut paguesit.

Në këtë institucion thonë se çfarëdo ndryshimesh ligjore që bëhen nga Kuvendi i Kosovës, sa i përket çështjes së dhënies së 10% të mjeteve para pensionimit, Trusti i zbaton pasi që është institucion ekzekutues.

Ndonëse, në Odën Ekonomike të Kosovës përveç që e mbështesin këtë ide të qeverisë së re, thonë se është një instrument me rëndësi për mbajtjen e nivelit të konsumit apo të fuqisë blerëse në këtë kohë pandemie.

Tashmë Ministria e Financave është duke punuar për modalitetet dhe strukturën e kontribut paguesve në “Trust” për të caktuar edhe kategoritë që do të rimburësohen dhe për ata që nuk kanë nevojë të rimburësohen nga qeveria.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se tani një nga masat e programit për rimëkëmbje ekonomike është edhe vënia në dispozicion e një përqindje të caktuar të mjeteve të Trustit.

Ministrja Bajrami duke thënë se ndryshimet ligjore në Trust do të jenë të përkohshme, theksoi se do të ketë një debat rreth kësaj çështje, në mënyrë që të këtë mbështetje nga të gjithë.

“Ne jemi duke punuar me Fondin e Kurimeve Pensionale në Kosovë, në mënyrë që të shohim se a ka nevojë për ndryshimet e tilla. Tani mund të themi qysh në start se ka nevojë për ndryshime ligjore, por janë disa ligje të cilat preken për ta implementuar në përpikëri pakon për rimëkëmbje ekonomike. Ajo çfarë ne si Ministri e Financave po bëjmë, është që jemi duke themeluar një grup ndër institucional, ku fillimisht jemi duke menduar që me një ligj të ndryshojmë disa ligje në mënyrë që këto të ndryshohen për një periudhë të përkohshme… Ne jemi duke punuar për modalitetet, fillimisht kemi kërkuar strukturën e kontribut dhënësve ose kontribut paguesve në Trust dhe do të shohim se cilave kategori do t’iu rimburësohet dhe cilat kategori nuk kanë nevojë për rimburësim. Kjo do të jetë një mundësi ku njerëzit në baza vullnetare mund t’i tërheqin këto mjete. Mandej, në bazë të kategorive ne do të shohim se cilat kategori ka nevojë që qeveria t’i kompensojë brenda një periudhe të caktuar kohore dhe cilat nuk ka nevojë fare t’i kompensojmë, por vetëm ju krijohet mundësia që faktikisht këta të tërheqin një shumë të vogël”, deklaroi Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere nga LVV-ja, Herkuran Murati, tha se Fondi i Kursimeve Pensionale nuk është emergjent, është pensional dhe është jo profesionale nga ana e kësaj “qeverie ilegale” siç e quan ai, që me ndryshime ligjore të ndikojnë në ato institucione që kanë misione të caktuara.

Murati pohon se në rast se shqyrtohen këto ndryshime në Komision, si kryetar do të kërkojë edhe mendimin e Trustit.

“Duhet bërë analizë për të parë se si do rezultojë në aspektin afatgjatë. […] Qëllimi i ‘Trustit’ nuk është fond emergjent, është fond pensional. Pra, mungesa e kreativitetit të qeverisë për të gjetur zgjidhje të tjera nuk bën që tash të mundohemi edhe të gjejmë metoda edhe atë joprofesionalizëm dhe jokreativitet të kompensohet me ndryshime ligjore dhe të preken institucionet që kanë mision tjetër”, thekson Murati.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi plani i Qeverisë Hoti për tërheqjen e një 10 përqindëshi të kursimeve para pensionimit, mund të jetë i realizueshëm, por kjo sipas tij duhet të kushtëzohet që këto mjete të mbesin në ekonominë e vendit.

Rukiqi theksoi se tërheqja e mundshme e parave të Trustit do të rriste deri diku edhe impaktin në ekonominë vendore.

“Këtë e shoh si një prej instrumenteve goxha të rëndësishme në mbajtjen e nivelit të konsumit apo të fuqisë blerëse. Por, një diçka që i kisha shtuar kësaj është mirë që të kushtëzohet kjo që, ato mjete të mbesin në ekonominë tonë. Pra, ato mjete nëse tërhiqen prej qytetarëve të mos shkojnë për mallra të importuara, por të synohet që ato të destinohen për blerje të prodhimeve vendore dhe të mos shpenzohen për produkte të huaja. Kjo do e rriste pak impaktin në ekonominë vendore, do përçonte edhe mesazh pozitiv. Nuk e di qysh është e mundshme për t’u realizuar, por unë mendoj se kjo mund të realizohet por të jetë një ndërlidhje në mes të tërheqjes së këtyre mjeteve dhe konsumit të tyre brenda ekonomisë tonë”, thotë Rukiqi.

E duket se këto mjete të Fondit të Kursimeve nuk do të stopohen nga bordi dhe menaxhmenti i Trustit.

“Sa i përket çështjes së dhënies së 10% të mjeteve para pensionimit, nuk na takon ne ta komentojmë këtë çështje, pasi ne jemi vetëm institucion ekzekutues”, tha shkurt për KosovaPress menaxheri për marrëdhënie me publikun në Trust, Jeton Demi.

Kryeministri Avudullah Hoti gjatë prezantimit të pakos për rimëkëmbje ekonomike ka deklaruar ditë më parë se masa e pestë e kësaj pakoje është për të stimuluar shpenzimet e familjeve, dhe të krijohet siç thekson ai, një dritare që brenda tre muajve ata që kanë kontribuar në Trustin Pensional t’iu kthejnë një pjesë të kursimeve.

Ministria e Financave e ka zhvilluar tanimë idetë se si mund të funksionalizohet kjo çështje, duke lidhur edhe nivelin e kontributeve, edhe me nevojën që pastaj shteti për një pjesë të kontributeve varësisht prej nivele të kompensojë kontribuuesit për një periudhë 5-vjeçare./kp