Turizmi në Kosovë, kapacitetet dhe problemet

Pandemia Covid-19 dhe gjendja ekonomike jo vetëm në Kosovë ka pasur një ndikim negativ në sektorin e Turizmit, kështu për portalin rtv21.tv ka thënë kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti.
Sipas tij, në 6 mujorin e parë të këtij viti vërehet një rritje e interesimit nga grupet e ndryshme të cilat kanë vizituar Kosovën.
”Kemi një numër në rritje të vizitorëve nga të gjitha shtetet Europiane ato Aziatike, por edhe nga USA. Poashtu sidomos gjatë sezonit dimëror dominojnë vizitorët nga Shqipëria”, ka thënë Hoti.
Por, sa ka kapacitet Kosova për turizëm?
Hoti ka përmendur se Kosova ende ka problem sa i përket pjesës së akomodimit në numër të madh të vizitorëve kryesisht gjatë aktiviteteve dhe festivaleve duke i veçuar ”Mani Festen” dhe ”Sunny Hill” të cilët do të sjellin një numër të madh të vizitorëve,
”Kosova ka papacitete sa i përket zhvillimit të turizmit duke pasur parasyshë pozitën gjeografike dhe vendet atraktive të cilat i ka, duke ju ofruar dhe duke qenë një vend atraktivë për turistët, e sidomos vendet malore që çdo ditë e më tepër po frekuentohen nga grupet e ndryshme të turistëve. Kosova ende ka problem sa i përket pjesës së akomodimit në numër të madh të vizitorëve kryesisht gjatë aktiviteteve dhe festivaleve siç i kemi tashmë në kryeqytet ”Mani Festen” dhe ”Sunny Hill” të cilët do të sjellin një numër jashtëzakonisht të madh të vizitorëve në kryeqytet”, ka shtuar Hoti.
Sipas tij, problematikat në sektorin e turizmit në Kosovë janë po të cilat na përcjellin me vite të tëra. Sfidë e madhe në sektorin e turizmit në Kosovë mbetet edhe stafi dhe kuadrot profesionale.
”Mungesa e buxhetit për mbështetjen e turizmit dhe bizneseve të këtij sektori promovimi jo i kënaqshëm i potencialeve turistike që ka Kosova sidomos në arenen ndërkombëtare. Sfidë shumë e madhe tashmë është edhe stafi dhe kuadrot profesionale çka për këtë problematik Unioni i Turizmit të Kosovës para 2 javësh ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Turizmit dhe Hoteleris nga Kanada ku duke filluar nga muaji Shtator do të fillojnë trajnimet profesionale me ekspert nga Universiteti ”Bay River Colege” , ku të gjithë ata të cilët perfundojnë trajnimet me sukses do të pajisen me certifikime ndërkombtarisht të njohura . Por në fund vlen të theksohet se së bashku me MINT kemi arritur që ta finalizojmë Ligjin e Turizmit dhe tashmë kemi një Ligj i cili mendojmë që do të ndikojë në standardizimin dhe ngritjen e sherbimeve dhe është në të mirë të zhvillimit të turizmit të Kosovës”, ka thënë ndër tjera Hoti.
Ai ka treguar se Unioni i Turizmit të Kosovës ka arritur që tashmë ta finalizojë edhe Aplikacionin e parë dhe të vetëm të turizmit ”THINK KOSOVA” i cili është pa pages dhe mund të merret në dy platformat në Android dhe IOS.
Kosova është e ndarë në pesë rajone turistike: rajoni qendror i Prishtinës; rajoni turistik i Alpeve Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna; rajoni turistik i Sharrit; rajoni turistik i Anamoravës dhe rajoni turistik i Mitrovicës.
Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimes, Ujëvara e Mirushës, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla dhe disa monumente kulturore janë destinacione të njohura turistike./21Media
 

Back to top button