U arrestua 52 vjeçari që ishte i dënuar me 15 vjet burg në Itali

Një 52 vjeçar, i cili ishte i dënuar me 15 vjet burg në Itali, u arrestua në Vlorë. Policia sot informoi se 52 vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Apelit, Brindizi, Itali, sipas njoftimit, e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Emigracion klandestin”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
“I dënuar me 15 vjet burgim, për disa vepra penale të kryera në Itali, lokalizohet në fshatin Poro dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 52-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, nga strukturat e lartpërmendura, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, mbështetur dhe në inteligjencën informative, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Poro”. Si rezultat u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Adriatik Budani, 52 vjeç, banues në fshatin Fitore, Vlorë.”, bëri të ditur Policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë./21Media

Back to top button