U arrestua një 21 vjeçar për “Hyrje në sistem kompjuterik dhe Ngacmim”

 

Policia sot informoi se pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar një person të dyshuar (B.Th, 1999) se ka kryer veprat penale ”Hyrje në Sistem Kompjuterik dhe Ngacmim”.

I dyshuari, sipas policisë, me veprime të paligjshme përmes kompjuterëve ka arritur të marr në posedim llogari të viktimave në rrjete sociale dhe pastaj përmes këtyre llogarive iu ka dërguar linqe miqve të viktimave duke kërkuar që të “klikojnë dhe të ndihmojnë të fitojnë një çmim në një lojë shpërblyese”.

“Linqet e dërguara nga personi i dyshuar kanë qenë të maskuara si të vërteta por që kanë përmbajtur virus kompjuterik, në momentin që viktimat kanë klikuar linkun janë drejtuar në një faqe të re në dukje si rrjeti social e cila gjithashtu ka qenë e maskuar si aplikacion i njërës nga bankat në Kosovë, respektivisht faqe e rrejshme. Në këtë moment, viktimat i kanë shkruar të dhënat e llogarive të tyre (e-mailin dhe fjalëkalimin) dhe posa kanë provuar të qasen të dhënat e qasjes i kanë shkuar të dyshuarit i cili pastaj ka hyrë në llogaritë e viktimave dhe i ka ndërruar të dhënat e sigurisë me qëllim që viktimat të mos mund të qasen në llogaritë e tyre.”, informoi policia.

Pasi ka arritur të siguroj fotografi dhe video personale të viktimave, siç u bë e ditur në komunikatë, i dyshuari ka filluar të komunikoj në rrjet social me viktimat dhe të afërmit e viktimave duke iu dërguar atyre edhe foto dhe video.

I dyshuari, sipas policisë, gjithashtu ka kërkuar edhe favore të ndryshme nga viktimat si dhe i ka ngacmuar dhe shantazhuar në vazhdimësi.

Policia ka kontrolluar dy lokacione dhe në cilësinë e provave janë sekuestruar:

–  Një kompjuter llaptop;

–  Dy telefona mobil;

–  Një USB memorje;

Me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje./21Media

Back to top button