U caktohet marzha e fitimit pompave të derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka caktuar sot marzhën e fitimit prej 2 centë për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë pompave të derivateve.
Sipas njoftimit për media, marrja e këtij vendimi ka ardhur pas monitorimit të rregulltë të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, “lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.
“Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër./21Media