U diskutua për fuqizimin e marrëdhënieve Kosovë-Irlandë

Haradinaj falënderoi Kellyn për mbështetjen që i dha Irlanda-Kosovës

Kryeministri, Ramush Haradinaj priti në takim Ambasadorin e Irlandës në Hungari, i ngarkuar për Kosovën, Patrick Kelly, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë dhe rajon.

Në një komunikatë për media të Qeverisë, bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj e njoftoi ambasadorin Kelly për progresin e Kosovës dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në plotësimin e agjendës së reformave evropiane, zhvillimin ekonomik dhe orientimin euroatlantik të saj.

Me këtë rast, kryeministri e falënderoi Ambasadorin Kelly për mbështetjen që Republika e Irlandës i dha dhe vazhdon t’i jap Kosovës, duke kërkuar edhe më tej këtë mbështetje në forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Fuqizimi i marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës është i rëndësishëm, veçmas në atë të ekonomisë dhe të sigurisë”, tha Haradinaj.

Nga ana e tjetër, Ambasadori i Irlandës në Hungari, i ngarkuar për Kosovën, Patrick Kelly vlerësoi raportet e mira ndërmjet dy vendeve, duke premtuar vazhdimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë./21Media

Back to top button