U dogjën 14 njerëz, askush nuk shkoi në burg, familjarët e viktimave të revoltuar me drejtësinë

Familjarët e viktimave të spitalit modular në Tetovë shprehin pakënaqësi ndaj vendimit të gjykatës për të akuzuarit. Thonë se vendimi është qesharak dhe shtojnë se të akuzuarit për këtë rast nuk janë njerëzit e duhur.

“Nuk ishin njerëzit e duhur unë nuk e di pse nuk përmenden njerëzit e duhur. Unë nuk e di a është ndonjë marrëveshje politike që mos përmenden se dihet se kush  duhet të jetë. Ish-ministri  i shëndetësisë Filipce, do e përmend me emër jo të japë dorëheqje në atë kohë, por edhe Ilir Hasani se ai ka qenë zëvendësministër. Unë e kam thënë edhe do e them se këtu është një litar i gjatë i të akuzuarve. Se kështu gjykata e solli vendimin ne nuk jemi të kënaqur, dihet se ka më shumë, se nuk është pak një gjë, janë 14 persona. Unë kam qenë deri në momentin e fundit, unë e kam cekë këtë edhe në deklaratë”, tha Munin Ismaili-familjarë i viktimës.

Ndërsa, nga “Lista më mirë për Tetovën” thonë se drejtësia e kalbur për herë të dytë vrau viktimat.

 “Drejtësia e kalbur edhe zënë peng nga politika për herë të dytë vrau viktimat dhe familjarët e tyre por edhe tetovarët e heshtur.  Politika klienteliste që mbizotëron gjithë këto vite në vendin tonë jep këto rezultate, ku për 14 jetë të djegura kemi zero burgim, kjo është tepër absurde”, pohoi Ngadhnjim Memeti – Lista më mirë për Tetovën.

Gjykata e Tetovës dje dy drejtorët i dënoi me 1,5 vjet burg me kusht, ndërsa mjeku Boban Vuçevski u lirua tërësisht nga akuza. Ndërkohë subjekti juridik Spitali Klinik i Tetovës duhet të paguajë një milion denarë për mosveprim./21Media

Back to top button