U kapën në flagrancë me drogë në makinë, arrestohen 3 persona

Vijon operacioni “Tempulli” për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike. 3 persona u arrestuan në Berat, pasi u kapën në flagrancë me drogë në makinë. U sekuestruan 519 gramë kanabis, municion luftarak dhe 3 celularë.

Njoftimi i policisë Berat:

Berat/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli”.

Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 3 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, të cilët u kapën në flagrancë me lëndë narkotike në automjet.

Sekuestrohen 519 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, një sasi lënde narkotike heroinë e ndarë në doza të gatshme për shitje, municion luftarak, 3 celularë dhe 1 automjet.
Specialistet për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të veprimeve operacionale për megaoperacionin “Tempulli”, kanë goditur një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike.

Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 30 vjeç dhe A. H., 39 vjeç, të dy banues Berat; V. D., 37 vjeçe, banuese në fshatin Lapardha, Berat.

Shërbimet e Policisë Rrugore, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë ndaluar në qytetin e Dimalit, automjetin me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë 2 shtetasit e tjerë.

Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur 519 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë, të ndarë në doza të gatshme për shitje, që u gjet gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Back to top button