U mbajt testi kualifikues i kandidatëve për 16 prokurorë të shtetit

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri sot u mbajt Testi Kualifikues i kandidatëve në kuadër të procesit të rekrutimit të 16 prokurorëve në prokuroritë themelore, ku morën pjesë 277 kandidatë.
Përmes një komunikate bëhet e ditur se ky proces ka filluar me shpalljen e konkursit në qershor të vitit 2020 dhe me rishpalljen e tij në maj 2021.
Kandidatët kanë aplikuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve, me ç’rast iu është mundësuar të gjithë të interesuarve që të aplikojnë, duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në formatet e nevojshme digjitale.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbikëqyrur mbarëvajtjen e Testit Kualifikues në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutim dhe anëtarët e tjerë të komisionit, me ç’rast gjatë fjalës së rastit iu ka uruar sukses kandidatëve në ketë proces rekrutues.
Gjithashtu për të mbikëqyrë ketë proces të pranishëm ka qenë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku.
Në kuadër të monitorimit dhe vëzhgimit të këtij procesi të rëndësishëm morën pjesë përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë, si EULEX-i, OSBE, EUKOJUST, Projekti i Ambasadës Britanike, Axiom International si dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) nga shoqëria civile.
Testi Kualifikues për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit është një nga fazat e testimit të përgjithshëm, që përbëhet edhe nga testi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve, të cilat Këshilli Prokurorial i Kosovës i menaxhon sipas standardeve më të avancuara./21Media

Back to top button