U mbajtën konsultimet e para politike mes MPJD-së së Kosovës dhe asaj të Lituanisë

Nën drejtimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti dhe zëvendësministres për Punë të Jashtme të Lituanisë, Jovita Neliupšienė, sot në Vilnius, u mbajtën konsultimet politike mes ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja shteteve.

Zëvendësministri Ahmeti e njoftoi homologen e tij për zhvillimet e fundit dhe progresin që ka shënuar Kosova në dy vjetët e fundit.

Gjatë takimit, siç u bë e ditur nga ministria, u diskutua edhe për ngritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe ambientit.

Ndërsa, në kuadër të marrëdhënieve multilaterale, siç u potencua, u bisedua lidhur me agjendën evropiane të Kosovës si dhe mbështetjen që mund të ofrojë Lituania përgjatë procesit integrues të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën ishte një nga temat kyçe tê takimit. Të dyja palët diskutuan ndikimin e këtij agresioni në rajonet përkatëse dhe rëndësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, u bë e ditur në komunikatë.

Zëvendësministri Ahmeti e falenderoi Neliupšienė për mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për Kosovën dhe të dy u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin mes të dyja vendeve.

Back to top button