U nënshkrua kontrata për linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Hani i Elezit

210 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Hani i Elezit

Është nënshkruar kontrata komerciale ndërmjet Infrakos-it dhe Generale Construzioni Ferrovarie, për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Hani i Elezit, investim i cili kap shifrën 210 milionë euro.

Në këtë  ceremoni mori pjesë edhe kryeministri  Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se sot është një ditë feste në Kosovë, për faktin se fillojnë punimet për renovimin, rehabilitimin, aftësimin e njërit prej sektorëve të rëndësishëm, atë të hekurudhave të Kosovës, sektorit 10-të, që është Fushë Kosovë-Hani i Elezit.

Sipas Haradinajt, këto punime do të zgjasin 24 muaj, që i bie se në fillim të vitit 2021, Kosova do të ketë hekurudha të kualitetit të pranueshëm, kompatibile dhe në funksion të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, por edhe të lidhjeve ekonomike, jo vetëm me Maqedoninë Veriore në këtë rast, por edhe të ekonomive të rajonit.

“Ky është një investim i përbashkët, investon populli i Kosovës nga buxheti i vet, por po ashtu investon edhe BE-ja, përmes fondeve të IPA-s për aftësimin e hekurudhave tona”, ka thënë  kryeministri Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj tha se hekurudhat kanë edhe dy seksione të tjera të nevojshme dhe se edhe për ato së shpejti do të ketë nënshkrime të kontratave dhe se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejtë dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

“Kosova, më në fund, do ta ketë rrjetin hekurudhor funksional kualitativ”, ka theksuar  kryeministri Haradinaj.  Por, sipas tij do të ishte një lajm i gëzueshëm nëse do të kishte një hekurudhë që do të lidhte Kosovën me Portin e Durrësit.

I pranishëm në këtë ceremoni  ishte edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i cili ka thënë se sot po fillon diçka e repër sistemin hekurudhor për vend.

“Sot do të fillohet me implementimin e projektit prej 210 milionë euro, para të siguruara nga Qeveria e Kosovës përmes Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim”, ka thënë ministri Lekaj.

Edhe Agron Thaçi, Kryeshef Ekzekutiv në Hekurudhat e Kosovës ka veçuar këtë ditë duke thënë se ky projekt ky i cili do të ketë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien tonë.

“Ky projekt do të na mundësojë të krijojmë lëvizje më të lehta dhe më të lira të qytetarëve dhe të mallrave. Javën e ardhshme do të lansohet edhe projekti tjetër prej 40 kilometrave dhe deri në pjesën e parë të vitit 2021 do t’i kemi të përfunduara afër 100 kilometra”, tha Thaçi.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Luigi Brusa, shef i Sektorit nga Seksioni i Bashkëpunimit i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, i cili ka thënë se nga ky investim do të krijohen rreth 160 vende pune. /21Media

Back to top button