U paralajmërua për janar, por ende nuk është vendosur taksë për qeset e plastikës

Vitin e kaluar, autoritetet kishin paralajmëruar se nga janari i 2023-tës, qeset e plastikës do të jenë me pagesë. Por një gjë e tillë si duket nuk do të fillojë të aplikohet as gjatë këtij muaji.
Shkak për këtë , sipas zëvendësministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha është se po punohet ende në rregullimin e disa mangësive në Udhëzimi Administrativ për Ambalazh dhe Mbeturinat e Ambalazhit i cili është punuar në muajin dhjetor të 2022.
Ajo për portalin rtv21.tv ka thënë se janë bërë disa takime me grupin punues, përveç ministrive përgjegjëse pjesë e këtij grupi kanë qenë dhe prodhuesit, shitësit me pakicë dhe importuesit.
“Në dhjetor të vitit që lëmë pas, ka përfunduar Udhëzimi Administrativ për Ambalazh dhe Mbeturinat e Ambalazhit ashtu sic është paraparë, mirëpo si rezultat që ky UA nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet (xham, kanaqe dhe plastikë) dhe tek kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e të këtij sistemi, andaj jemi detyruar që ta shlyejmë miratimin e këtij UA deri sa të rregullojmë dhe pjesën e SRD. Me ndryshimet e bëra udhëzimi administrativ duhet dhe njëherë të dal në diskutim publik e pastaj të shkoj në mbledhje të qeverisë.”, ka thënë Linda Çavdarbasha .
Ajo nuk ka treguar se kur saktësisht do të fillojë aplikimi i këtij udhëzimi, por ka thënë se do të jetë sa më gjithpërfshirës dhe të rregulloj si duhet edhe sistemin e rimbursit të depozitave edhe reduktimin e qeseve të plastikës.
“Sa i përket qeseve të plastikes, do të ndalohet prodhimi i qeseve me peshë më të lehtë se 25 mikron, kurse prej 25-50 mikron do të vendoset taksa duke filluar nga 0.05 cent”, ka deklaruar për portalin rtv21.tv Çavdarbasha.
Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 janë grumbulluar 485 mijë tonë mbeturina komunale ku përfshihen edhe qeset e plastikës./21Media

Back to top button