U përkeqësohet gjendja grevistëve në burg

Dy ditë më parë TV21 raportoi se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore të dënuarve për rastin “Lagja e Trimave” të cilët për 15 ditë janë në grevë urie. Ndërsa sot njëri prej pesë grevistëve, Musadik Pajaziti, është dërguar për trajtim në spital për shkak se gjendja shëndetësore i është rënduar edhe më shumë. I njëjti sërish është kthyer në burg. Avokati Naser Raufi thotë se të burgosurit e këtij rasti po trajtohen në mënyrë ç’njerëzore, ndërsa shton se ata nuk e kanë ndër mend të heqin dorë nga greva.
“Kjo së pari është punë për Drejtorin e zbatimit të sanksioneve, për Ministrin e Drejtësisë, nuk ka asnjë interes, është me të vërtetë e pakuptueshme, nuk interesohen si mos me qenë praktikisht njerëz. Jo vetëm gjendja e Musadikut, por edhe e katër të tjerëve që janë në grevë është shumë e rëndë, shumë e keqe dhe mendoj që edhe medikamentet që i kanë të nevojshme, ndihmën e shpejtë apo hospitalizmin që u duhet patjetër, nuk është i realizuar”- deklaroi Naser Raufi – avokat
Avokatit konsideron se kjo që po u bëhet është hakmarrje.
“Diskriminimi mendoj se është për shkak të veprës, kinse këto janë ata që kanë bërë vepër terroriste, që kanë vrarë policë. E dini që ka qenë konflikt i armatosur ndërmjet njësive policore dhe grupit të armatosur, nuk është në pyetje ndonjë lënde terrorimi. Mendoj se arsyeja sipas meje është vepër e inkriminuar, sipas meje është një revansh i keq, sepse kishte të vrarë nga njësitë policore të RMV-së”- pohoi Naser Raufi – avokat.
Zëvendësdrejtori i burgut të Shutkës, Sadush Arifi, përsëriti deklaratën se si burg hetues nuk mund t’i dalin në ndihmë grupit të Kumanovës për të realizuar të drejtat që u takojnë. Përndryshe avokati Raufi thotë se me datë 23 do të ngrenë padi penale për personat përgjegjës që kanë penguar realizimin e lehtësimeve, si fundjava të lira dhe vizita familjare. Kyçja e faktorit ndërkombëtar është shpëtimi i vetëm, vlerëson avokati./TV21

Back to top button