U sekuestruan 25 kilogramë kanabis sativa, 5 persona u arrestuan

Policia e Shtetit Shqiptar sot ka informuar se janë sekuestruar 25 kilogramë kanabis sativa në proces tharjeje si dhe janë arrestuar 5 persona lidhur me rastin. Siç ka informuar policia, njëri prej të arrestuarve ka qenë i dënuar më parë për vrasje.
“Në vijim të kontrolleve të njëpasnjëshme të territorit, në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit Pukë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “Ars”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ll. L., 55 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, D. N., 18 vjeç, M. N., 48 vjeçe dhe Gj. L., 55 vjeçe, të gjithë banues në Rubik dhe K. N., 19 vjeç, banues në Fushë Arrëz.”, ka bërë të ditur policia.
Shërbimet e Policisë, siç është informuar, bazuar në informacionet e grumbulluara më parë, kanë ushtruar kontroll në territorin e fshatit Ars, Njësia Administrative Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz, ku kanë konstatuar 27 bimë narkotike të kultivuara në një zonë të pyllëzuar.
“Në vijim të kontrollit, në zonën përreth, në një kasolle të improvizuar, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë 5 shtetasit e arrestuar, të cilët po përgatisnin bimët narkotike për tharje. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 25 kg cannabis sativa (bimë në proces tharjeje).”, ka informuar tutje policia.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim./21Media

Back to top button