UEFA ia beson Shqipërisë organizimin e këtyre ndeshjeve të Ligës së Kampionëve

 
UEFA i ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e tri ndeshjeve të turit paraeliminator të kompeticionit UEFA Champions League.
Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e këtij turi që do të luhen në datat 22-25 qershor 2021 në Durrës dhe në Elbasan. Më 22 qershor, në ora 20:00 do të nisë gjysmëfinalja e parë ESS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS), që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Po më datë 22 qershor dhe po në të njëjtën orë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND).
Fituesit e dy çifteve do të përballen në finalen e këtij turi që do të luhet më datë 25 qershor, ora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit për të përcaktuar skuadrën, që do të kualifikohet për në fazën tjetër.
Kësisoj, UEFA vazhdon t’i besojë FSHF-së organizimin e eventeve të rëndësishme, duke marrë parasysh mirëorganizimin e ndeshjeve me rëndësi të madhe nga institucioni i futbollit shqiptar si dhe investimet e rëndësishme që janë bërë në infrastrukturë dhe në futboll përgjatë këtyre viteve.
Gjithashtu, kjo vjen edhe për shkak të lehtësimit të masave anti-Covid në Shqipëri dhe rënies së rasteve me këtë virus që bllokoi të gjithë botën për thuajse më shumë se një vit.
Ky lajm vjen pas një tjetër lajmi historik, siç është ai i organizimit të finales së kompeticionit më të ri në futbollin europian, UEFA Conference League, në stadiumin “Air Albania” në majin e vitit 2022.
CHAMPIONS LEAGUE – TURI PARALEMINATOR
Gjysmëfinalet – datë 22 qershor 2021
SS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS)
Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND)
Ora 20:00, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Finalja – datë 25 qershor 2021
Fituesi 1 – Fituesi 2
Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan.

Back to top button